Spanja dhe Sllovakia refuzojnë të njohin Kosovën

07/02/2009 07:53

ImageMinistri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, ka refuzuar thirrjen e Parlamentit Evropian që pavarësia e Kosovës të njihet nga të gjitha vendet e BE-së. "Ne respektojmë të gjitha rezolutat e Parlamentit Evropian, por qeveritë kanë opinionet e tyre", ka thënë Moratinos. Sipas tij, shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq edhe Sllovakia ka bërë të ditur se nuk e ka ndërmend të njohë pavarësinë e Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme sllovake, Jan Shkoda, ka thënë se "miratimi i rezolutës nga Parlamenti Evropian nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e Sllovakisë, e cila nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës". Me 424 vota për dhe 133 kundër, Parlamenti Evropian dje ka miratuar Rezolutën për Kosovën, e cila hedh poshtë edhe një herë idenë e çdo lloj ndarjeje të Kosovës. Me një rreth më të ngushtë të votave, rezolutës i është shtuar edhe një amendament, me të cilin kërkohet nga shtetet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë sa më parë. Qeveria e Kosovës ka përshëndetur dhe mirëpritur miratimin e Rezolutës për Kosovën nga Parlamenti Evropian, si dhe ka vlerësuar lart gatishmërinë e shprehur për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik dhe politik.

Back

Search site

© Copyright 2009.All rights reserved.Powered by Zbavitu-24or.Ch