Eduardo shkëlqen në fitoren e Arsenalit

16/02/2009 23:00

Rikthim sensacional i Eduardo Da Silvas, Foto: AP

Skuadra e Arsenalit e ka mposhtur Cardiff Cityn në Emirates Stadium me rezultat 4-0, në ndeshjen e vlefshme për FA Cup.

Në këtë fitore të Topçinjve në qendër të vëmendjes ishte sulmuesi i rikthyer, Eduardo Da Silva, i cili nuk e ka veshur fanellën e Arsenalit qe pothuajse një vit, qëkur e theu këmbën.

Rikthimi i kroatit ishte sensacional pasi që arriti të shënojë dy gola, dhe ishte lojtari më i mirë në fushë.

Golin e parë Eduardo e shënoi pas një kombinimi me Velan në minutën e 20-të të pjesës së parë, ndërsa Niclas Bendtner dyfishoi epërsinë pas një goli të shënuar me kokë (34’).

Pesëmbëdhjetë minuta brenda pjesës së dytë (60’), gjyqtari akordoi një penallti për Arsenalin, pas një ndërhyrjeje të gabuar brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit në sulmuesin kroat, i cili vetë e mori përgjegjësinë dhe ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë.

Rezultatin përfundimtar prej 4-0, e vendosi holandezi Robin van Persie një minutë pa përfunduar koha e rregullt (89’), i cili paraprakisht zëvendësoi pikërisht Eduardon.

Back

Search site

© Copyright 2009.All rights reserved.Powered by Zbavitu-24or.Ch